"Çështje dinjiteti!" Berisha i shpall "luftë" ligjore Sekretarit Amerikan të Shtetit: Do ta padis për shpifje!
Ish kryeministri Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp (20 maj 2021) një ditë pas vendimit të Departamentit Ameriakn të Shtetit për ta shpallur "non grata."
Në gjithë fjalën e tij, ai u kujdes të nënvizonte rëndësinë e marrëdhënieve dhe vlerësimet që ka me SHBA-të, por akuzat e sekretarit të shtetit Blinken i cilësoi të fabrikuara dhe ndaj tij ka ngritur një padi.
"Qysh kam filluar jetën time politike, qysh kur kam prekur rrogën time të parë në shtet, e deri në ditën e sotme nuk ka njeri në Shqipëri e në botë të më thotë se unë jam përfshirë në ndonjë aferë korruptive.
Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar siç është Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte për Gjykatën e Parisit për shpifje publike"
E gjithë kjo betejë tha Berisha, bëhet për të mbrojtur dinjitetin e tij dhe familjes së tij.
"Një admirues i pakufishëm i vendit të madh të lirisë, aleatit më kryesor të kombit shqiptar. Por, zonja dhe zotërinj çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Ai mund të pretendojë së sipas rregullave si Sekretar Shteti përfiton imunitet. Kjo është gënjeshtër. Imuniteti sot vlerësohet nga gjykatat.
Sekretari është i mbrojtur nga imuniteti kur kryen akte normale në ushtrimin e profesionit si përfaqësues i qeverisë së tij por kur bëhet autor i një komedie dhe montazhi politik të destinuar për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet e një ministri.
Asnjë qeveri nuk mund të ketë funksion shpifjen e përbaltjen.
Sipas avokatit tim zoti Blinken nuk është i mbrojtur nga asnjë imunitet. Ndaj do ta padit në Gjykatën Koleksionale të Parisit ku avokati im ka dorëzuar padinë.
Berisha pranon se është një vendim i paparashikueshëm në jetën e tij por "çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore. Nëse e prek nderin e dinjitetin ti e zhvlerëson atë për veten, familjen, miqtë e komunitetin ku jeton. Unë kam qenë presidenti, kryeministri, me një fjalë kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli e jam përpjekur për dinjitetin e popullit tim"
Sali Berisha, tha se nuk tërhiqet nga beteja e tij politike për një Shqipëri më të mirë, e këtë do ta vijojë edhe në kuvend.
"Unë thashë se do ta dyfishosh," u shpreh Berisha kur u pyet nëse do ta dorëzonte mandatin e tij.
Sali Berisha dha qëndrimin e tij edhe sa i përket idesë së Ramës për bashkëqeverisje.
"Ajo do ishte një fatalitet për Shqipërinë dhe jam i bindur që nuk i shërben. Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira, të ndershme dhe jo bashkëqeverisje," tha ai.
Sali Berisha komentoi edhe qëndrimin e Lulzim Bashës duke e cilësuar si korrekt, ndërsa ishte i prerë më shumë se një herë duke e deklaruar vazhdimësinë e tij në politikë.

