Vettingu shkarkon prokurorin Avni Kraja, nuk justifikoi 14 mln lekë

Prokurori i Tiranës, Avni Kraja nuk arrin që ta kalojë vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij pasi nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezultoi se Kraja kishte 14 milionë lekë të pajustifikuara ligjërisht.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar disa ditë më parë, në relacion u evidentua se një pjesë e këtij bilanci, vinte nga blerja e një apartamenti 135 metra në Tiranë dhe disa transaksione me automjete, të cilat për KPK ishin të dyshimta.

Kraja nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit, por u përfaqësua nga avokatja Irena Riso.
Në seancë dëgjimore këtë të martë kaluan edhe gjyqtarja e Tiranës, Migena Laska si dhe Prokurori i Elbasanit Alfred Shehu.

Laska kishte 327 mijë lekë te pajustifikuara, te ardhura këto të arkëtuara në 3 vite. Argumenti i saj ishte; shtim i likuiditeteve cash me burim interesat e bono thesarit si dhe kursimet nga paga.

Ndërsa për prokurorin e Elbasanit, Alfred Shehu, hetimi i komisionit nxori një bilanc negativ prej 129 mijë lekësh.

Në vitin 2013, subjekti deklaroi blerjen e një apartamenti banimi me vlerë 5,2 milionë lekë në Elbasan, me burim kryesor shitjen e banesës së mëparshme me vlerë 3,4 mln lekë.

Për këtë, Shehu nuk deklaroi burime të tjera për blerjen e këtij apartamenti.

Përveç problemit te justifikimit te parave , te dy ata i kaluan kriteret e tjera të vlerësimit, atë të aftësisë profesionale dhe pastërtisë së figurës.