Akademia e Shkencave: Shfrytëzimi i pasurive ujore shkaktoi ndërhyrje të pandreqshme
Ujërat nuk njohin kufij, ndaj edhe mbrojtja e kësaj pasurie, thonë përfaqësues të akademisë së shkencave, duhet të jetë një detyrë globale.
Në konferencën e parë ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit të ujërave, kryetari i akademisë së shkencave, Skënder Gjinushi shprehu shqetësimin për shkatërrimin e ekosistemit natyror.
"Shqipëria është një vend i favorizuar për pasuritë e larmishme ujore që i ka dhënë natyra. Gjatë shekullit të kaluar dhe në vijim pasuritë ujore janë vënë në shërbim të mirëqenies dhe cilësisë së jetës së njeriut në forma që nuk ekzistonin më parë. Disa herë këto ndërhyrje kanë prekur ekosistemet natyrore deri dhe me pasoja të pandreqshme," tha Gjinushi.
I pranishëm në konferencë ishte edhe ministri i mjedisit Blendi Klosi i cili apeloi për një plan hapësinor detar
"Planifikim hapësinor të vijës bregdetare . ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të kuptohet qartë se zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomive që kanë të bëjnë edhe me turizmin detar dhe duhet që po ashtu të kenë mekanizma të fortë të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe të kësaj pasurie të madhe ujore që ne kemi," tha Klosi.
Për mbrojtjen ekosistemeve, Akademia e shkencave ka ngritur një komision të përhershëm për biologjinë, bujqësinë dhe veterinarinë, si dhe ka themeluar një njësi speciale të bioteknologjisë.
