Milan rrezikon zonën Champions, barazon me Cagliarin

Milani gabon në “match point”-in e sezonit. Kuqezinjtë mund të kishin mbyllur llogaritë për zonën Champions League me fitoren ndaj Cagliarit por në “San Siro” mbyllet gjithçka në barazim pa gola. Një rezultat i tillë ndërlikon jashtëzakonisht shumë kualifikimin e kuqezinjve në Champions League sepse skuadra e Piolit duhet të shkojë të fitojë në transfertën me Atalantën.

Presioni u shfaq dukshëm në këmbët e Milanit gjatë 90’ minutave ndaj Cagliarit që e ka siguruar mbijetesën dhe nuk kishte objektiva që gjithsesi rezistoi dhe u mbrojt mirë. Të pakta ishin rastet për Milanin që në fund u bllokua me një rezultat 0-0.

Tani kuqezinjtë duhet doemos të shkojnë në Bergamo në ndeshjen e fundit dhe të fitojnë ndaj Atalantës që nuk do të jetë aspak e lehtë.