Orges Shehi: Ndaj Laçit, është një finale për Europën
Pas barazimit në derbi, Tirana do të ketë tre impenjime të vështira për të arritur objektivin e Europës. Bardhëblutë do të presin Laçin një finale direkte dhe për trajnerin Shehi e di që do të jetë e vështirë pasi kurbinasit ishin një pretendent serioz për titullin këtë sezon.
“Është një skuadër shumë e fortë që konsiderohej si ekip për titull dhe në këto momente janë rivali jonë. Kur luan ndaj një rivali direkt duhet të kesh shumë kujdes dhe të interpretosh mirë këtë “finale”. Miti i fushës në Shqipëri ka rënë, nuk më shumë e vështirë të fitosh në fushë kundërshtare”.
Për Shehin skuadra është “ok” në gjendje fizike por pranon se Torasa është një mungesë shumë e rëndësishme për Tiranën.
" Derbi na la pasojë Torasën, që nuk do të jetë nesër për shkak dëmtimi dhe daljes nga loja me Partizanin. Ky është dëmi që na solli derbi. Vijmë pas një ndeshje të mirë në derbi, sigurisht që kemi shpenzuar shumë energji sepse derbi është i tillë, kërkon përqendrim dhe impenjim fizik maksimal dhe tani përballemi me një kundërshtar po aq të fortë sa Partizani”.
Trajneri i bardhebluve insiston se Tirana e ka vet në dorë fatin e Europës ndaj kërkon kujdes pasi në Superiore ndodhin edhe çudira.
“Është hera e parë që distanca na lejon të kemi në dorë vetë situatën, pas gjithë diferencës që kemi pasur. Po të fitojmë, ngjitemi lart dhe jemi të përqendruar maksimalisht në këtë takim. Nëse fitojmë me Laçin, hedhim hap të rëndësishëm sepse i barazojmë me pikë, por mbeten edhe dy javë të tjera që kërkojmë impenjim sepse çudirat në këtë kampionat nuk kanë fund. Edhe ato skuadra që konsiderohen të lehta në letër, të marrin pikë”, përfundoi Orges Shehi në vigjilje të duelit me Laçin.
