Ndërpritet Partizani-Bilishti per femra, tre futbolliste u dërguan në spital

Nuk ishte një ndeshje e qetë ajo mes Partizanit dhe Bilishtit në kampionatin për femra të futbollit. Në fillim u raportua se disa futbolliste të skuadrës mike shfaqën gjendje të fikëti dhe u dërguan menjëherë në spital.

Për të sqaruar ngjarjen ka reaguar menjëherë Federata e futbollit ku për të qetësuar edhe frikën e krijuar bëri të ditur se 3 lojtare të Bilishtit kanë shfaqur gjendje të fikëti në fushë dhe menjëherë ambulancat e siguruar nga ekipi pritës i Partizanit i kanë dërguar në spital.

Siç bën të ditur FSHF, me të përfunduar analizat e nevojshme vajzat kanë lënë spitalin dhe nuk ka asgjë alarmuese ndërsa bëri thirrje të tregohet pak më shumë maturi në situate të tilla.

Reagimi i plotë i FSHF:

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuara ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21-të të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjendje të fikëti.

Menjëherë vajzat janë shoqëruar në Spitalin Amerikan nga Ambulanca, e sjellë nga klubi pritës, FK Partizani, që kanë qëndruar së bashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave.

Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit.

I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmve të tyre.

Në garën e eksluziveve dhe klikimeve duhet të tregojmë së paku humanizëm dhe profesionalizëm.