Daja për duelin e titullit ndaj Teutës: Luajmë gjithçka, shanset 50 me 50

Edhe tre ndeshje kanë mbetur për të përcaktuar ekipin kampion të Kategorisë Superiore por ndeshja Teuta-Partizani mund t’i japë menjëherë drejtim titullit. Trajneri Ilir Daja e di shumë mirë rëndësinë e kësaj sfide dhe e thekson se Partizani do të luajë për 3 pikë në “Niko Dovana”.

“Nuk mendoj që edhe Teutës i leverdis barazimi, sepse mbas ndeshjes tonë, shkon në një transfertë të vështirë në Laç. Mendoj që edhe ata duan ta fitojnë ndeshjen. Ne jemi të detyruar, por në fund fare nuk do të zhbalancohemi. Është më mirë ta menaxhosh një ndeshje kur është barazim apo në avantazh sesa në disavantazh. Kam dëgjuar që Partizani kishte 7 vite pa fituar me një ekip tjetër, për etikë nuk po e përmend. Besoj që në këtë vit që unë drejtoj bashkë me stafin Partizanin, kemi marrë njësoj pikë të dy ekipet. Që do të thotë që nesër do të luftojmë patjetër për të marrë 3 pikëshin. Ky 3 pikësh të jep edhe një bonus tjetër, sepse me ndeshje direkte pastaj pozicionohemi më mirë se Teuta”.

Trajneri i të kuqve e pranon se shkalla e vështirësisë do të jetë e madhe për tëdyja skuadrat ndaj mendon se shanset janë 50 me 50 për të dalë me 3 pikë ekipi nga fusha.

“Fakti që as Teuta nuk na ka mundur asnjëherë, raportet janë 50 me 50. Duhet të jemi të kujdesshëm, ta shtrimë këtë lloj përqendrimi. Duhet të jemi të kujdesshëm, mos të prishim ekuilibrat, Teuta pëson pak gola. Pra duhet të sulmojmë me më shumë forca, duke pasur një mënyrë tjetër të luajturi në Durrës, më qenë së duhet të rriskojmë për të marrë 3 pikësh. Sigurisht që është një ndeshje ku do të luhet gjithçka për gjithçka dhe nëse duam t’i kemi gjërat në dorën tonë, besoj që është treni i fundit. Kemi një kundërshtar të vështirë sepse luan vendi i parë me të dytin dhe Teuta pozicionohet në këtë kampionat sepse ka ditur të menaxhojë shumë mirë deri në këto javë. Është mbrojta më e mirë, por ne kemi sulmin më të mire”.

Në fund, Daja flet edhe për gjendjen fizike të ekipit dhe për ngarkesën fizike që kanë lojtarët në këtë fundsezoni.

“Ngjeshja e kampionatit ka bërë të vetën, por të gjithë ekipet e kanë ndjerë këtë lodhje fizike, ashtu siç çdo njeri. Them që të gjithë janë në raporte të barabarta. Na gëzon fakti që kemi një gjendje fizike më të mirë, këtë e kemi vërtetuar në pothuajse të gjithë ndeshjet e fundit të fazës së katërt. Element shumë i rëndësishëm në futboll, është vazhdueshmëria. Duke parë këtë element pozitiv, jemi të kënaqur. Nuk kemi dëmtime, jemi ekipi me gjendjen më të mirë. Sepse mund të mos kesh dëmtime, por të kesh gjendje jo të mirë fizike”, përfundoi trajneri Ilir Daja.