Brdariç: Vllaznia mentalitet gjerman, mposhtim Kastriotin për Europën
Thomas Brdariç e thekson pothuajse në çdo dalje para ndeshjeve që Vllaznia ka bërë një rritje të konsiderueshme këtë sezon si në lojë ashtu edhe në rezultate dhe për trajnerin e skuadrës shkodrane në vigjilje të sfidës me Kastriotin, ekipi po tregon dhe ngjan me mentalitetin gjerman.
“Më pëlqen Shqipëria dhe shoh që këtu në Shkodër dhe Shqipëri ka një mentalitet gjerman. Kam dëshirë që të sjell këtu pak nga mentaliteti gjerman dhe mendoj se nga fillimi kemi bërë mirë, teksa shpresojmë të bëjmë edhe në të ardhmen. E njohim shumë mirë Kastriotin, e dimë çfarë stili loje kanë. Më kujtohet ndeshja e fundit këtu, veç motit që ishte shumë i keq, ata bënë një lojë të pandershme”.
Për Brdariç, Vllaznia duhet të shikojë rritjen dhe të mos ndalet dhe të vazhdojë akoma më shumë duke theksuar se objektivi i skuadrës është të ruajë këto pozita, që në fakt të çojnë në Europë. Në mënyrë të tërthortë, për trajnerin duket se titulli është i pamundur.
“Është një ndjenjë shumë e mirë kur e ke vetë në dorë për të arritur objektivat. E dimë që me përqendrim maksimal, me këtë ekip mund të bëjmë mirë dhe jemi të bindur se do ia dalim, për të arritur qëllimin tonë që kemi në fund. Ne jemi në këtë pozitë dhe nuk na intereson çfarë kemi bërë në të shkuarën. Të ecim përpara dhe të mësojmë nga gabimet. Për momentin duhet të ruajmë këtë pozitë. Skuadrat që kemi përpara janë të mira, kanë investuar më shumë se ne dhe kanë më shumë eksperiencë, por ne duhet të rritemi”.
Trajneri gjerman theksoi edhe se me të skuadra është rritur por nuk duhet harruar edhe që ekipi me lojtarët kaluan një periudhë të vështirë dhe u stërvitën në kushte tepër të vështira gjatë dimrit.
