Drogë nga Amerika Latine drejt Evropës, arrestohen 4 anëtarët e kartelit të drogës ‘Kompania Bello’

Tre shqiptarë dhe një italian, pjesë e grupit kriminal që vepronte për kartelin e drogës “Kompania Bello” janë arrestuar në Itali.

Prangosja e 4 anëtarëve të bandës u bë gjatë një operacioni mes Toscanës dhe zonës së Emilia Romagna-s, ku u kapën 15 kg marijuanë. Mësohet se ditën e djeshme, skuadra Mobile e Florence, në bashkëpunim me atë të Modena, zbatoi një urdhër paraburgimi të lëshuar nga Gip i Gjykatës së Firences si pjesë e një hetimi të koordinuar nga Prokuroria Publike.

Gjykata vendosi “arrest me burg” për tre shqiptarët nga mosha 32-47 vjeç, ndërsa për 46-vjeçarin italian detyrim për të qëndruar në komunën e Modenas.

Hetimet zbuluan se të arrestuarit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur merrnin kokainë nga Holanda dhe marijuanë nga Shqipëria dhe më pas e trafikonin në Itali. Ndërkohë policia ka shpallur edhe dy persona të tjerë në kërkim.

Sipas mediave të huaja, Kompania Bello, vepronte në disa kontinente, por më shumë kishin lidhje me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, ndërsa pjesën më të madhe të kokainës e trafikonin në Europë

‘Kompania Bello’ u shkatërrua pas një hetimi 5 vjeçar nisur më 2015 pjesë e të cilit ishte edhe Eldi Dizdari, i cili është arrestuar në Dubai me emrin e rremë Denis Matoshi dhe pritet që të ekstradohet në Itali. Gjatë operacionit të koduar "Los Blancos", i cili u shkatërrua në shtator u sekuestruan 5.5 milionë euro cash dhe 4 ton kokainë.