Sfidat e mësimit online, mungesa e literaturës shqip online krijoi vështirësi
Mësimi në distancë për shkak të pandemisë ka vënë përballë sfidave jo vetëm studentët por edhe stafin pedagogjik në arsimin e lartë. Përfaqësues të universiteteve thanë në një forum mbi këtë temë se një nga vështirësitë më të cilat janë ndeshur në këtë periudhë ka qenë mungesa e literaturës shqip online. Megjithatë sipas dekanit të Histori-Filologjisë, procesi ka qenë frytdhënës për kushtet në të cilat u zhvillua.
1.5 miliard nxënës dhe studentë në të gjithë botën kanë zhvilluar mësimin online për shkak të pandmisë.
Edhe në Shqipëri, institucionet arsimore kaluan në skenarin e mësimit në distancë, i cili ishte sfidë edhe për stafin pedagogjik.
Zëvendësdekania e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Elsa Skënderi, thotë se mungesa e literaturës shqiptare online ka sjellë shumë vështirësi.
"Ne ende kemi një problem ekzistues me literaturën në gjuhën shqipe, ajo nuk gjendet në mënyrë elektronike. Ky ka qenë një problem që studentët kanë hasur dhe institucionet tona arsimore duhet që ta tejkalojnë në të ardhmen. Realisht situata e pandemisë na e ka ngritur këtë problem," tha Skënderi.
Megjithatë, dekani i këtij Fakulteti, Sabri Laçi, vlerëson se studentët ja dolën të përthithin maksimslisht dijet në kushtet e pazakonta ku u zhvillua mësimi.
"Unë jam besimplotë që studentët kanë marrë gjithë sasinë e nevojshme të njohurive për t'u konsideruar të barabartë me pararendësit e tyre apo me ata që do të vijnë më pas. Ndihemi krenarë që ja kemi dalë për mrekulli," tha dekani.
Studentja, Blerina Kanxha, tregon eksperiencën e saj të mësimit online në Universitetin e Bolonjës, ndërsa shton se kjo situatë duhet përdorur për modernizimin e universiteteve.
"Nuk është kaq e pamundur, ka të mirat dhe të këqijat e veta por është një formë zgjidhje që them se do t'i shërbejë njerëzve në të ardhmen. Jo më të jetë një justifikim, por të jetë zgjidhje e problemeve," tha Kanxha.
Në forumin studentor për arsimin e lartë në kohën e pandemisë Covid 19, përfaqësues të Universitetit të Tiranës thanë se po punojnë për mbarëvajtjen e orëve të konsultave si dhe për sezonin e provimeve.
