Arsimi, marrëveshje Ukrainë-Shqipëri për shkëmbimin e stafeve akademike dhe studentëve
Mes Ukrainës dhe Shqipërisë pritet të realizohet edhe një marrëveshje në fushën e arsimit, e cila do të përqëndrohet kryesisht në programet e shkëmbimit të stafeve akademike dhe studentëve.
Ukraina dhe Shqipëria pritet të firmosin një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit.
Këtë të premte u zhvillua konferenca ndërkombëtare "Dialogjet arsimore ukrainase-shqiptare" me rastin e vizitës së delegacionit të këshillit të qytetit Kharkiv në Shqipëri.
Ambasadori ukrainas, Volodymyr Shkurov, tha se qëllimi i kësaj konference është forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në arsim përmes një marrëveshje.
"Ministria e arsimit të dy vendeve po përgatisin aktualisht një marrëveshje të azhornuar të arsimit përkatës të punës për 2021 dhe 2022. Kjo do jetë një mundësi për të specifikuar formatin e bashkëpunimit dypalësh dhe drejtimin e sistemit të shkëmbimit të studentëve dhe mësuesve. Shpresoj që nënshkrimi i këtyre dokumenteve të bëhet shpejt dhe ato do kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ukrainase-shqiptare në fushën e arsimit".
Përfaqësuesit nga Shqipëria dhe Ukraina sollën në vëmendje eksperienca personale në fushën e arsimit dhe prezantuan idetë e tyre për reforma.
Prezentë në këtë aktivitet ishin dhe Konsulli i Nderit të Ukrainës në Shqipëri, Bledi Bajraktari, si dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Mira Hoxha.
Bashkëpunimi përqëndrohet kryesisht në programet e shkëmbimit të stafeve akademike dhe studentëve, organizimet e përbashkëta si dhe shkëmbimi i informacioneve në fushën e kërkimit shkencor.


