Më pak të diplomuar për vitin shkollor 2019-2020, rriten kërkesat për arsim profesional

Në vitin shkollor 2019-2020 janë diplomuar nga institucionet arsimore më pak nxënës dhe studentë nga të gjitha nivelet arsimore.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave nga klasa e parë e deri në përfundim të gjimnazit kanë përfunduar studimet 96 mijë e 942 nxënës, pra 6 mijë e 82 më pak se një vit më parë.

Megjithatë raportohet se arsimi i mesëm profesional ka shënuar rritje, me rreth 1 mijë nxënës.

Të dhënat e raportit tregojnë se e njëjta situatë është reflektuar edhe në universitete.

Në vitin e kaluar akademik u diplomuan në arsimin e lartë 32 mijë e 889 studentë, me një ulje prej 5,7 %.

Të përcaktuara sipas gjinisë, rezulton se numri më i lartë i të diplomuarve në të gjitha degët e arsimit të lartë i përkasin gjinisë femërore, konkretisht 21 e 481 studente.

Fusha në të cilën kanë arritur të përfundojnë studimet më shumë studentë është “Biznes, administrim dhe ligj” me një të katërtën e numrit të përgjithshëm të totalit.

Studentë që kanë përfunduar ciklin në programet Bachelor përbëjnë 53,5 % të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 42,4 %.

Në fakt prej vitesh është shënuar rritje e të rinjve që kërkojnë të bëhen jurist dhe ekonomistë, duke sjellë një numër të lartë të diplomuarish krahasuar me kërkesat e tregut.