Revolta e punonjësve të "Illyrian Guard" ndaj drejtorit Nikolla: Të ndalen presionet e shkarkimet e padrejta
Punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Sigurisë “Illyrian Guard” vijojnë ankesat ndaj administratorit Drini Nikolla për shkurtimet në këtë kompani. Në një letër drejtuar zv/ministrit të Brendshëm, vartësit e Drini Nikollës theksojnë se janë kërcënuar nga eprori, ndërsa kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të kësaj situate që e cilësojnë të paligjshme.
Punonjësit e shoqërisë së sigurisë “Illyrian Guard”, kanë shfaqur ankesa ndaj administratorit Drini Nikolla, lidhur me shkurtimet e kryera prej tij.
Sipas tyre, veprimet arbitrare dhe kërcënuese me presione të vazhdueshme ndaj punonjësve, Nikolla i ka ndërmarrë muajt e fundit me argumentin se po riorganizon strukturën organike të kësaj shoqërie sigurie.
Por përgjegjës të sigurisë në turne dhe drejtorë që drejtojnë këtë kompani, tashmë janë ankuar tek zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i cili është dhe kryetari i Këshillit Mbikqyrës i shoqërisë Aksionere “Illyrian Guard”.
Në ankesën e tyre, punonjësit kërkojnë nga zv/ministri i Brendshëm të ndërhyjë dhe ndalojë kërcënimet e shantazhet e vazhdueshme të administratorit të ri, Drini Nikolla.
Sipas ankesës së punonjësve, Nikolla i kërcënon me fjalët "të lumtur do jenë ata punonjës që vijnë dhe respektojnë vizionin tim” apo dhe më shantazhe të ndryshme si “e kam gati listën e atyre që do jenë në punë”.
Punonjësit ankohen se situata në “Illyrian Guard” ka dalë jashtë kontrollit si pasojë e papërgjegjshmërisë së administratorit të ri Nikolla, që ka marrë detyrën në 26 janar 2021.
Kjo pasi sipas ankesës së dërguar zv/ministrit Hodaj dhe kryeministrit të vendit Edi Rama, brenda një kohe fare të shkurtër janë dhënë mbi 40 masa disiplinore, dhe mbi 60 punonjësve të kësaj kompanie sigurie shtetërore, i është kërkuar të firmoset dokumenti për lirimin nga detyra.
E gjitha kjo është bërë pa një studim dhe kriter ligjor, thonë punonjësit në ankesën e tyre, pasi kompania “Illyrian Guard” në gjendjen që është sot ka nevojë për punëtorë, me qëllimin e vetëm për të përballuar fluksin e shërbimeve që ka.
“Dhuna psikologjike, frika dhe shkelja e procedurave ligjore gjatë ushtrimit të detyrës, është bërë si diçka normale nga administrator Nikolla”-tregojnë në ankesën e tyre pranë kryetarit të Këshillit Mbikqyrës të kësaj kompanie Julian Hodaj.


