SPAK sekuestron tjera para të kardiologut Edvin Priftit, 50 mln lekë e 177 mijë euro

Pak muaj pas arrestimit me akuzën e korrupsionit, SPAK ka sekuestruar edhe dy llogari të kardiologut Edvin Prifti në vlerën e 50 milionë lekëve të reja dhe 177 mijë eurove. Mjeku i dyshuar për korrupsion duhet të vërtetojë ndërkohë burimin edhe për 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë që iu sekuestruan gjatë arrestimit në shkurt të këtij viti.

Në një kohë kur pritej që Gjykata e Lartë të shqyrtonte rekursin SPAK që ka kërkuar riarrestimin e mjekut Edvin Prifti, këtij të fundit i sekuestrohen të tjera llogari bankare.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro mbi 2 llogari bankare të kardiologut të dyshuar për korrupsion në vlera të konsiderueshme.

Aktualisht kardiologu Prifti është nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK bën me dije se Policia Gjyqësore ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror për Priftin dhe subjekteve tregtare të krijuar dhe u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.

Sipas SPAK duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit janë produkte të veprës penale Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive kërkesë e cila është pranuar duke vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare apo subjekteve tregtare në pronësi të tij në shumat 51 milion Lekë të reja dhe të 177.497 Euro.

Ndërkohë me herët gjatë arrestimit të Priftit ne 13 shkurt te këtij vitit Mjekut iu gjeten ne banesë dhe ne zyre 250 mijë euro dhe 16 milion leke te reja të cilat janë ende nen sekuestro.