Turizmi, promovimi nuk bëhet vetëm me spote
Për të dytin vit me radhë, sezoni turistik veror është në pikëpyetje, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë globin. Si një nga sektorët më të goditur nga pandemia, rikthimi në normalitet do jetë i vështirë. Pavarësisht mbështetjes nga ana e shtetit, përfaqësuesi i shoqatës së operatorëve shqiptarë, Besnik Vathi, thotë se situata është ende delikate.
“Turizmi vazhdon të vuajë pasojat e pandemisë deri në momentin që do të ketë hapje, jo nga ne por të huajt”
Mbështetja financiare prej 100 milion lekësh nga qeveria për promovimin e turizmit tek të huajt cilësohet pozitive por e pamjaftueshme.
“Është një fond që vjen në momentin e duhur për të ndihmuar atë nxitje të turizmit të huaj për të kuptuar që Shqipëria ka rezultate shumë më të mira. Asgjë nuk është e mjaftueshme, gjithnjë ka vend edhe për më mirë."
Në vend të promovimit të turizmit, zgjidhje e mirë do ishin negociatat e shtetit me vendet e huaja për lehtësimin e masave anti-COVID.
“Duhet edhe të lobohet në mënyrë individuale për të pasur marrëveshje dypalëshe e shumëpalëshe me qëllim që vendet e tjera të mos e përfshijnë në listën e kuqe e kjo nuk bëhet me spote por me lobingje.”
Në vitin 2020, sipas të dhënave nga INSTAT kishte një rënie të numrit të shtetasve të huaj të hyrë në vend me 58.5% në krahasim me 2019.

