Aksidenti në Yzberisht: Avdillari po udhëtonte me 180 km/h, gjykata lë në arrest shtëpie shoferen

Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest shtëpie” për shoferen e automjetit me të cilin u përplas motori ku po udhëtonte, Fatmir Avdillari, i cili gjeti vdekjen nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Yzberisht tri ditë më parë. 39-vjeçarja akuzohet për shkelje te rregullave të qarkullimit, ndërsa motori rezulton se po udhëtonte me një shpejtësi 180 km/h.

Gjykata e Tiranës vendosi masën "arrest shtëpie" për Ankela Mulletin, drejtuese e mjetit me të cilin u përplas 45-vjeçari, Fatmir Avdillari, i cili humbi jetën në zonën e Uzberishtit në kryeqytet.

Vendimi u dha nga Gjykata e Tiranës pas kërkesës së Prokurorisë, e cila e akuzon 39-vjeçaren për shkelje te rregullave te qarkullimit rrugor, bazuar edhe në videon e ngjarjes, ku ajo kthen mjetin në kryqëzim duke i prerë rrugën motorit.

Megjithatë ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes ka nxjerrë se 45-vjeçari, Avdillari i cili humbi jetën si rezultat i përplasjes, ishte duke udhëtuar me motor me shpejtësi prej 180 kilometra në orë, tej çdo limiti për aksin.

Fatmir Avdillari njihej si person me precedentë penalë për plagosje me armë zjarri dhe përfshirje në trafik droge.

E gjithë skena e aksidentit është fiksuar nga kamerat e sigurisë të aksit rrugor ku shihet qartë e gjithë ngjarja e cila u bë shkak edhe për bllokimin e lëvizjes së mjeteve për disa minuta.