Presidenti slloven pas takimit me Vuçiç: Vetëm integrimi i shpejtë në BE mund të ruajë paqen në rajon
Sllovenia pritet të marrë presidencën e Këshillit të BE-së dhe kërkon që si pjesë të axhendës, të çelë perspektiva të reja për vendet e Ballkanit. Presidenti slloven, Pahor, i deklaroi homologut të Serbisë, Vuçiç, se i tërë rajoni duhet integruar brenda bllokut europian.
Sllovenia vazhdon të apelojë për pranimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, për stabilitetin e rajonit.
Presidenti slloven, Borut Pahor, vijoi të premten turin e tij ballkanik duke u ndalur në Serbi, ku takoi homologun serb, Aleksandër Vuçiç.
Pahor tha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin është në interesin gjeopolitik të bllokut.
"Zgjerimi duhet të ndodhë më shpejt. Do të ishte fantastike nëse pak a shumë të gjitha vendet e rajonit të hynin në BE bashkërisht. Vetëm me hyrjen e shpejtë mundet rajoni të ruajë paqen, sigurinë, stabilitetin."
Nga republikat ish-jugosllave, vetëm Sllovenia dhe Kroacia janë pjesë e BE-së.
Serbia dhe Mali i Zi janë kandidatë, bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa prapa ndodhen Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.
Presidenti Vuçiç tha se Serbia e mbështet qasjen e Pahorit për integrimin komplet të rajonit, por temë tjetër që e shqetëson Beogradin janë Kosova dhe kufijtë aktualë të Ballkanit.
"Kur dëgjojmë se nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh, konflikte, në këtë duam dhe duhet ta kenë të qartë edhe ata që dikur prodhuan konflikte e i ndryshuan kufijtë e Serbisë. Kosova ishte e vetmja që iu mor Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, nga Fuqitë e Mëdha."
Sllovenia merr në korrik presidencën e Këshillit të BE-së dhe prej ditësh po konsultohet me rajonin për ta pasur në qendër të axhendës.
Të enjten presidenti slloven ndaloi në Prishtinë ku takoi homologen kosovare, Vjosa Osmani.
Të hënën, Sllovenia do të presë edhe presidentët e rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit, për të forcuar më të bashkëpunimin dhe dialogun politik rajonal.


