Rama: Europa po tregohet dritëshkurtër dhe hipokrite, Shqipëria meriton çeljen e negociatave
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për Euronews Europe ka folur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe se sa shumë domëthënie ka Europa për Shqipërinë e shqiptarët.
Gjatë bisedës kryeministri Rama u shpreh se Europa nuk është treguar e mirë në mbajtjen e premtimeve për Shqipërinë, ndërkohë që sipas tij Shqipëria i ka bërë ‘detyrat e shtëpisë’.
“Shqiptarët nuk lodhen kurrë së luftuari për të qenë pjesë e Europës.Sigurisht zhgënjimet kanë qenë vijuese dhe Europa nuk ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve të saj.Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë sepse, siç thashë, për ne Europa është ajo që ka qenë që nga dita e parë, kur kemi dal nga komunizmi dhe kjo është hera e parë në histori që ne mund të zgjedhim.Asnjëherë nuk e kemi patur mundësinë e zgjedhjes, të tjerët vendosin për ne dhe vendi ynë ishte në hapësira të tjera, por jo në hapësirën që dëshironim gjithmonë, e që është Europa dhe BE.”
Gjatë intervistës kryeministri u shpreh se Europa po tregohet dritëshkurtër dhe hipokrite pasi sipas tij Shqipëria ka bërë progres aq sa për të merituar hapjen e negociatave.
“Ka një ndryshim të madh midis anëtarësimit në BE dhe hyrjes në rrugën e plotë të negociatave.Siç jemi sot nuk jemi gati të jemi anëtar, pa dyshim.Por siç jemi sot ne jemi mëse gati për të hyrë në rrugën e plotë të negociatave dhe këtu qëndron pika kontradiktore, dhe ku Europa po tregohet dritëshkurtër dhe disi hipokrite, sepse Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e plotë të hapjes së negociatave dhe pikë.”