Zbulohet skema e mashtrimit me kreditë, arrestohen dy persona në Tiranë

Dy persona u arrestuan nga policia e Tiranës në kuadër të një hetimi për abuzime dhe falsifikim dokumentesh me marrjen e kredive.

Shahije Rroshi, 25 vjeçe dhe Leonard Allushi, 27 vjeç, ranë në prangat e agjentëve të Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik në kuadër të operacionit policor të koduar “Fraud 21”.

"Këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi, me anë të së cilës rekrutonin persona të ndryshëm, kundrejt shpërblimit, duke i pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të bërë të mundur përfitimin e mikrokredive nga këto institucione financiare."- informon policia e Tiranës.

Ndaj dy të arrestuarve janë ngritur akuzat për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimit me kredi”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.