Mashtronin qytetarët duke përfituar para, në pranga 36 vjeçari dhe bashkëpunëtorja e tij

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin mashtronin persona në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Përmetit, për të përfituar shuma parash prej tyre.

Sipas njoftimit të bluve, u bë e mundur ndalimi i shtetasit  Eduart Jaku, 36 vjeç, banues në Shkodër dhe shtetases Majre Toska, 26 vjeçe, banuese në Trevllazër, Vlorë.

Shtetasi Eduart Jaku ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Mashtrimi" kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, iu ka marrë dy shtetasve në qytetin e Korçës, shumat 1800 euro dhe 800.000 lekë. Në momentin e ndalimit në rrugë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se ky shtetas ishte duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.

Pas verifikimeve, shtetasi Eduart Jaku ka rezultuar i shpallur në kërkim edhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, më datë 18.02.2021, për të njëjtën vepër penale.

Ndërsa ndalimi i shtetases Majre Toska u bë pasi Prokuroria Përmet ka urdhëruar ndalimin e saj, për veprën penale "Mashtrimi" kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se i ka marrë një shtetasi nga fshati Petran, Përmet, nëpërmjet mashtrimit, shumën 5000 euro. 

Veprimet e mëtejshme procedurale në lidhje me këtë rast po kryhen nga Komisariati i Policisë Përmet.