Vrasja e Mehmet Qemës, vetëdorëzohet shoku i tij Marjus Dema
Vetëdorëzohet në policinë e Tiranës autori i vrasjes së 27-vjeçarit mesnatën e kaluar në rrugën "5 Maji."
Marjus Dema ka shkuar vetë në polici pak orë pasi u shpall në kërkim për ekzekutimin e të riut Mehmet Qema.
Bashkë me të dyshuarin si autor i krimit në polici është vetëdorëzuar edhe një prej personave të tjerë prezent në ngjarje, shtetasi Frenkli Myftari.
Në momentin e ngjarjes, viktima Mehmet Qema, ndodhej në lokal me disa shokë të lagjes ne orën 23:15 minuta.
Mehmet Qema ndërroi jetë në spital nga një plumb pistolete ndërkohë që sipas policisë, dyshohet se autor i krimit është Marjus Dema, 27 vjeç, i cili u shpall në kërkim për disa orë dhe më pas u arrestua pas vetëdorëzimit.
Në një deklaratë për ngjarjen, uniformat blu bëjnë të ditur se po punojnë edhe për kapjen e 5 shtetasve të tjerë, Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti, e Xhuljano Koçi të cilët dyshohen për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Burimet policore bëjnë me dije se krimi ka ndodhur në një lokal ku grupi i djemve, të gjithë banorë të zonës qëndronin herë pas here pasi njiheshin me njëri-tjetrin.
Në rrethana ende të paqarta mbrëmjen teksa ishin duke konsumuar pije alkoolike, shtetasi Marjus Dema ka qëlluar me një plumb në gjoks Mehmet Qemën, i cili humbi jetën në spital.
Pas krimit autori është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa policia akuzon edhe personat e tjerë që ndodheshin në tavolinë për pengim të hetimeve.
Kamerat e sigurisë të lokalit ku ndodhi krimi kanë fiksuar në një moment autorin e ngjarjes teksa qëndron në këmbë me pistoletë në dorë pranë tavolinës ku ishte ulur viktima.
Viktima Mehmet Qema rezulton se kishte miqësi edhe me emra showbizz-it shqiptar pasi në rrjetet sociale ndiqej edhe nga reperi Majk dhe moderatori Romeo Veshaj.
