Shkarkimi i Metës, më 20 maj konkluzionet e komisionit të posaçëm hetimor

Deputetët që po hetojnë presidentin Meta vendosën ta thërrasin atë, të martën tjetër, për një seancë dëgjimore. 

Ndërkohë shkresat për informacion rreth veprimtarisë së Kreut të Shtetit u janë dërguar nëntë institucioneve përfshi edhe shërbimin informativ.

Pjesë e hetimit është edhe incidenti në zyrat e FRD  gjatë ndërhyrjes së Policisë Bashkiake për lirimin e  godinës, ku presidenti u shfaq në krah të drejtuesve të kësaj partie opozitare.  Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK gjithashtu pritet të japin të dhëna pranë Komisionit Hetimor Parlamentar.

 “Në varësi se çfarë thonë ata ne do të marrim vendimet, ju lutem të mos hyjmë këtu, këtu ne nuk jemi Gjykatë Penale, të mos e ngatërrojmë gjënë. Këtu ne jemi Komisioni Hetimor Parlamentar, shqyrtojmë veprimtarinë bazuar dhe në kodin e procedurës penale, por ne nuk jemi Gjykatë Penale këtu, dakord?

Ne nuk bëjmë ekspertizat e kasetave këtu, ato ekspertiza ato që kanë mësuar t’i bëjnë lë t’i bëjnë, kur të vejë koha le t’i shmangen drejtësisë. Ne këtu i jemi drejtuar institucionit, kemi rënë dakord bashkë që do i drejtohemi AMA-së, të na sjelli informacionin AMA do ta marrim të mirëqenë," u shpreh Hyseni.

Brenda javës ky komision do të caktojë edhe dy ekspertë konstitucionalistë që pritet të jenë pjesë e hetimit, ndërsa në mbledhje u propozuan emrat e Erind Mërkuri dhe Viktor Gumit. Pasi të marrë në pyetje Kreun e Shtetit, Komisioni, sipas kryetarit Alket Hyseni pritet të nxjerrë konkluzioneve hetimore në mënyrë që në 24 maj t'i paraqes Kuvendit raportin final.

Mësohet kalendari i punimeve të komisionit të Posaçëm hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta

Më 14 maj miratimi i planit përfundimtar të hetimit

Më 17 maj administrimi i informacionit, raporteve të ndryshme nga institucionet në lidhje me objektin e hetimit

Më 18 maj është parashikuar seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Më 20 maj shqyrtimi përfundimtar dhe nxjerrja e konkluzioneve të hetimit

Vetë kreu i këtij komisioni, Alket Hyseni nënvizoi se është me rëndësi që të ruhen afatet që ka caktuar Kuvendi.

“Mund të kërkojmë shtyrje, por të ecim me këtë kalendar” u shpreh Hyseni.