I shpallur në kërkim për trafik droge, arrestohet 32 vjeçari në Shkodër dhe shoku i tij

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 32-vjeçar të shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike.

Gjithashtu është bërë arrestimi në flagrancë dhe i një 22-vjeçari që akuzohet se ka përkrahur autorin.

Dy të rinjtë e arrestuar janë M. H., 32 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe dhe F. M. 22 vjeç, banues në Kamicë, Malësi Madhe.

“Shtetasi M. H., në vitin 2018, së bashku me shtetasin E. H. (i arrestuar në 2019 ), në vendin e quajtur “Syri i Kripës”, në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, kanë tentuar të trafikonin nëpërmjet liqenit të Shkodrës, një sasi prej 93 kg bimë narkotike të llojit marijuanë.”, informon policia.

Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke qarkulluar së bashku në një automjet.

Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, për shtetasin M. H. u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.05.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.