Basha në Durrës: U futëm në këtë betejë të barabartë me qytetarët, përballë kishim bandat

E nisi turin post-elektoral, aty ku dhe e mbylli ditën e  zgjedhjeve më 25 qershor, në Durrës. Analizën e humbjes por dhe aksionin e ri politik ne opozitë, Lulzim Basha ka vendosur ta zhvillojë në terren. Ai e konsideron këtë proces një masakër, e u beri te ditur demokrateve, se beteja do te vazhdoje. Futjen ne këtë gare, Basha e krahasoi me atë të viteve ‘91 dhe 2001, kur të gjithë prisnin ndryshimin, dhe ai nuk ndodhi, pasi  pushteti tha ai bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve.

Basha:" Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna."

Nuk foli për dorëheqje, ndërsa u beri te ditur zërave kundër se do t'i mirëpresë ata nëse kanë synim të ndihmojnë partinë. 

Basha:" Po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim. "

Lulzim Basha ka qetësuar elektoratin duke premtuar se nuk do të bashkëpunojë me Edi Ramën edhe pse ky i fundit ashtu si në ditët e  fundit të fushatës por edhe tani ka deklaruar se edhe për Presidentin do te konsultohet me Partinë Demokratike.  

Basha: "Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim. "

Gjate tubimit në Durrës nuk ishte i pranishëm kryetari i degës, Ferdinand Xhaferri. Partia Demokratike arriti të marrë në këtë qark 6 deputetë, ndërsa socialistët 8.

 Pjesë nga fjalimi i kreut të PD-së në Durrës:                                                                                      

"Ne këtë betejë nuk e nisëm për veten tonë. Që në fillim të fushatës e kemi thënë dhe e kam thënë të qartë që kjo betejë nuk bëhej as për mua dhe as për Partinë Demokratike. Kjo betejë bëhej për shqiptarët, bëhej për Shqipërinë, kjo betejë bëhej për prindërit tanë, të cilët prej vitesh lëngonin, me pensione të mbetura në vendnumëro, me koston e jetës të rritur, kjo betejë bëhej për të rinjtë që duan të ikin, për t’i mbajtur këtu, kjo betejë bëhej për ndërmarrjet që mos të mbyllnin vendet e punës, për biznesin e vogël që mos të mbyllte qepenat për të sëmurët, për shëndetësinë, për arsimin, për vendin tonë, për familjet tona, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Dhe ne morëm përsipër një mision. Një mision për ta drejtuar këtë vend pas 8 viteve lëngate, vjedhje, krimi dhe poshtërimi, drejt një të ardhme më të mirë. Ky ishte misioni ynë. Me këtë mision iu përveshëm fushatës derë më derë. Një fushatë qytetare, një fushatë europiane, me program, me ide, me zgjidhje, me ofertë konkrete, me pastërtinë e shpirtit të demokratëve që na ka karakterizuar prej ditëve të para të fillesave tona si një familje e madhe politike.

Shumëkush më ka thënë këto ditë se beteja i përngjiste 91-shit. Njësoj si në 1991 ne u futëm në këtë betejë të barabartë me qytetarët. Njësoj si ta por me peshën dhe përgjegjësinë mbi supe për të arritur diçka që vetëm ne mund ta udhëhiqnim; ndryshimin që të gjithë prisnin.

E dimë fare mirë dhe e dinim edhe atëherë se përballë do të kishim bandat. Bandat e Durrësit, bandat e Shijakut, bandat e Krujës dhe të Fushë Krujës të bëra njësh me pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite të Edi Ramës. E dinim fare mirë se në muajt, madje në vitin pararendës, ky pushtet bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. "