"Bashkia na ka gënjyer", banorët në Korçë të rrezikuar nga kanali i ujërave të zeza: Ka 25 vite kështu

Ky kanal i ndodhur në mes të lagjes 17 në qytetin e Korçës, është kthyer në një shqetësim serioz për banorët.

Sipas banorëve nuk është pastruar dhe askush nuk ka ndërhyrë prej vitesh.

"Kanalizimi këtu është nuk rrihet, nuk banohet. Ne si mund të veprojmë ne, ku mund ta gjejmë të drejtën? " thotë banori.

"Kemi 25 vite që po jetojmë këtu edhe asgjë nuk po bëhet. Ne këtu po banojmë, nuk jemi në mes të tokave që të na lënë kështu," thotë banorja.

Ata thonë se fëmijët janë më të rrezikuarit.

"Unë vetë kam kaluar stres të madh kur kisha fëmijë të vogël se më ka rënë djali në kanal," thotë banorja.

Në këto kushte rreziku, banorët thonë se mbyllen në shtëpi për të mos rrezikuar.

"Ne të sëmurë jemi, nuk dalim dot nga era," thotë një e moshuar.

"Dyert tona kyçen për kush ka fëmijë të vegjës se ose do rrish ta ruash fëmijë, ose do kyçësh derën," thotë banorja.

Janë ankuar disa herë në Bashki, por nuk kanë gjetur asnjëherë zgjidhjen e kërkuar.

"Kërkesa kemi bërë sa të duash, sa morën votat e ikën," thotë e moshuara.

"Kam çuar problem në emër të të gjithë lagjes te bashkia dhe aty më thoshin "Jp e ka ky i ujërave, jo e ka ai" dhe unë nuk dija ku të drejtohesha," thotë banorja.

"Bashkia na ka gënjyer. Jemi shumë të zhgënjyer sidomos nga bashkia," thotë banori.

Janë rreth 60 familje të lagjes 17 që çdo ditë përballen me rrezikshmërinë e këtij kanalit dhe ndotjen e madhe të ambientit.