Bulqizë/ Shpërthen gazi në minierë, asfiksohen tre minatorë
Disa minatorët rrezikuan jetën në minierën e Martaneshit, ku tre prej tyre, Shyqyri Elezi, Murat Hidri dhe Andi Jauri mbetën të plagosur.
Policia sqaroi se ata po punonin në galeritë e minierës duke salduar brenda në galeri me gjenerator.
Gazi i çliruar ka krijuar vështirësi fillimisht 50 vjecarit Shyqyri Elezi i cili ka pësuar asfiksi brenda galerisë.
Murat Hidri dhe Andi Jauri i kanë shkuar në ndihmë por për shkak të intensitetit të lartë të gazit edhe ata kanë shfaqur probleme.
Aksidenti në minierë ndodhi rreth orës 12.30.
"Në një subjekt minerar në zonën e Martaneshit, shtetasi Sh. E., rreth 50 vjeç, duke salduar brenda në galeri me gjenerator, paraprakisht dyshohet se si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori është aksifksuar, dhe në ndihmë të tij kanë shkuar dhe dy punëtorë të tjerë, shtetasit A. J., dhe M. H., të cilët janë askfiksuar dhe kanë shfaqur probleme shëndetësore," informoi policia e Dibres.
Ngjarja ka ngritur alarmin për aksidentin nën tokë dhe drejt minierës kanë shkuar forcat e policisë, ato të kërkim shpëtimit të minierave dhe ekipet mjekësore.
Gjashtë minatorë sipas burimeve kishin nevojë për ndihmë mjekësore.
Ata kanë marrë fillimisht mjekim në Spitalin e Bulqizës dhe më pas, njëri në gjendje më të rëndë u soll me helikopter për trajtim në Urgjencën e QSUT-së Tiranë.
Nga janari i këtij viti një minator ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur për shkak të aksidenteve në galeritë e kromit në Bulqizë vetëm në muajt e parë të këtij viti.
Të paktën 5 minatorë kanë humbur jetën përgjatë vitit 2020 në miniera, ndërsa në 5 vitet e fundit llogariten 30 minatorë të vdekur në vendin e punës.