"Kush e vrau Elisabetën?" Familjarët para Prokurorisë Fier: Do hakmerremi vetë
"Kush e vrau Elisabeten ?"
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga vdekja 31-vjeçares Elisabeta Lamaj nga Mallakastra që humbi jetën teksa sillte në jetë fëmijën e dytë në Maternitetin e Fierit, familjarët e saj thonë se ende nuk i kanë përgjigjet që kërkojnë.
"Derisa të dalë një përgjigje nga Prokuroria sepse e kanë lënë çdo gjë në harresë."
Ndaj këtë të hënë (10 maj) ata protestuan para Prokurorisë së Fierit, ku kanë kallëzuar dy mjekët që trajtuan rastin.
Si shenjë të neglizhencës, bashkëshorti i 31 vjeçares thekson faktin se nuk është marrë në pyetje as në cilësinë e kallëzuesit.
"Realisht është një muaj, askush nuk më ka thirrur, askush nuk më ka pyetur se si ka ndodhur, çfarë ke parë? Asgjë nuk më kanë pyetur," shprehet bashkëshorti.
Me akuza ndaj mjekëve e dyshime ndaj Prokurorisë, ata kërkuan drejtësi për 31 vjeçaren, ose në rast të mos reagimit të shtetit kërcënuan me vetë-gjyqsi.
"O të na i zgjidhë problemin shteti, o ndryshe ne do hakmerremi vetë. Do t'i dalim zot vetes, do vemë ta vrasim atë doktorin."
Për të marrë disa nga përgjigjet që presin familjarët e Elisabeta Lamajt kërkuan një takim me prokurorin që po ndjek hetimet me kërkesë zyrtare.
Mjekët që trajtuan rastin që përfundoi në mënyrë tragjike, në dëshminë e tyre kanë thënë se e reja vdiq si pasojë e një infarkti akut të miokardit.
Por familjarët e të resë kanë dyshime për të cilat kërkojnë përgjigje.
"Pse nuk ishte kardiologu gjatë operacionit? Pse nuk bëri konsultë kardiologu 1 orë përpara operacionit? Pse nuk kishte aparatura në sallën e lindjes? Analizat pse i bëri 3 ditë para se të hynte në sallën e operacionit, kur ato analiza bëhen brenda 1 ore?"
