Morën 2500 euro për t'i kaluar në Greqi, 3 të arrestuar
Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pasi ndihmuan 4 shtetas shqiptarë, për të kaluar ilegalisht drejt Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë.
Sipas njoftimit të bluve, në kuadër të operacionit Perimetri në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, u vunë në pranga shtetasit A. R., 49 vjeç, banues në Pogradec, E. Sh., 21 vjeç dhe J. B., 35 vjeç, banues në Devoll.
Policia pas informacioneve të siguruara se disa shtetas do të ndihmonin persona të tjerë, kundrejt shpërblimit, për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë, organizuan shërbimet dhe lokalizuan në qytetin e Bilishtit, tre shtetasit e lartpërmendur, të cilëve iu kanë bërë me shenjë që të ndalonin. Ata nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por janë kapur dhe neutralizuar.
Nga verifikimet dhe hetimet e kryera rezultoi se tre shtetasit e arrestuar kishin ndihmuar 4 shtetas shqiptarë, kundrejt shpërblimit 2500 euro, që të kalonin ilegalisht drejt Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Pas shkëmbimit të informacionit me homologët grekë, 4 shtetasit shqiptarë janë kapur nga autoritetet policore greke.
Materialet i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
