Dita e Drejtësisë, Metani: Reforma më e thellë dhe më e dhimbshme që Shqipëria ka kaluar ndonjëherë
Në ditën e drejtësisë Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, përmes një mesazhi, ka uruar të gjithë punonjësit e organeve të drejtësisë.
Artur Metani e cilëson këtë ditë si një moment për të reflektuar mbi rrugëtimin e shtetit shqiptar drejt drejtësisë.
“108 vjet më parë nënshkruesit e Pavarësisë dhe etërit e krijimit të shtetit shqiptar hartuan bazën ligjore të organizimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri, atë që njihet si “Kanuni i Zhurisë”. Në shenjë respekti për aktin e tyre historik dhe normat juridike të krijuara nga ky akt, 10 Maji kujtohet e nderohet si Dita e Drejtësisë.
Gjej rastin t’i uroj gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë që lidhen me drejtësinë, Ditën e Drejtësisë, dhe t’i inkurajoj të gjithë, për më shumë motivim e me shumë angazhim në punën e tyre fisnike.”
Sipas Metanit reforma e pesë viteve të fundit është më e dhimbshmja që drejtësia shqiptare ka kaluar.
“Është dita për inkurajim e motivim në rrugëtimin sfidues, që sistemi i drejtësisë ka nisur 5 vite më parë, me reformën më të thellë e të dhimbshme, duhet thënë, që ka njohur ndonjëherë.”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë thekson se liria e vendimmarrjes nga institucionet është një fuqi e madhe për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe në shtetin e të drejtës.
“Natyrisht nuk jemi ende aty ku duhet, por kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi, që institucionet në procesin e vendimmarrjes së tyre të kenë ndikim të paligjshëm, politik apo çdo lloj tjetër. Kjo pavarësi e garantuar me ligj për cdo gjyqtar e prokuror është një fuqi e madhe për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës, ku dhënia e drejtësisë nuk konsiderohet privilegj apo rastësi, por detyrim dhe e drejtë e çdo individi.
Duke respektuar parimet e shenjta të profesionit, duke ruajtur të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, çdo gjyqtar e prokuror i bën një shërbim të madh shoqërisë dhe vendit tonë.
Të gjithëve, gëzuar Ditën e Drejtësisë!”, shkruan Metani.
