Real Madrid ndalet nga Sevilla, lufta për titull bëhet e 'çmendur'

Zidane dhe yjet e Realit i shpëtojnë humbjes në shtëpi nga Sevilla që barazoi në një ndeshje shumë të luftuar dhe të hapur.

Pas barazimit në sfidën Barça-Atletico, Real Madridit i duhej fitorja për të marrë "frenat" e kampionatit dhe e nisi mjaft mirë kur gjeti golin e avantazhit në minutën e 12 me Benzema por VAR ia anuloi për pozicion jashtë loje gjatë aksionit.

Sevilla nis të përgjigjet dhe në 22' pas një skeme nga goditje dënimi Fernando gjen rrjetën me një gjuajtje në zonë. Los blancos përpiqen të reagojnë pa e ndryshuar dot rezultatin në pjesën e parë ndërsa në të dytën rritën presionin dhe arritën të barazonin me Asensio në 67'.

Sevilla nuk tërhiqet gjithsesi dhe përpiqet ta kapë Realin në kundërsulm por në 76' merr një penallti për prekje të topit me dorë nga Militao dhe Rakitiç nuk gaboi për të kaluar në avantazh andaluzët. Me madrilenët që nuk kishin se çfarë të humbisnin, të gjithë u hodhën në sulm dhe vetëm në 95', Eden Hazard barazoi rezultatin dhe shpëtoi ekipin nga humbja.

Gjithsesi barazimi nuk e ngjit Realin pasi mbetet në vend të tretë me 75 pikë po aq sa Barça dhe 2 më pak se Atletico kryesuese.