Partizani gabon në Korçë, Teuta rimerr kreun

Për të disatën javë me radhë, përmbyset sërish kreu në Kategorinë Superiore pas javës së 32-të.

Është Teuta që merr komandën tani në kampionat pas fitores bindëse 4-0 ndaj Bylisit “Niko Dovana”, me golat e shënuar nga Aleksi në 16’, Qirko 57’ (autogol), Vila 74’ dhe Bregu në 94. Ishte një ndeshje pa histori ajo në Durrës, ku skuadra e Martinit shkëlqeu në fushë, ndryshe nga një javë më parë me Vllazninë, fitore me lojë bindëse.

Tani Teuta kryeson me 59 pikë renditjen falë edhe barazimit të Partizanit në Korçë me Skënderbeun që u mbyll 1-1.

Ishin të kuqtë që e mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Stenio Junior në 44’ ndërsa në pjesën e dytë iu përgjigj Mensah në 56’ duke vënë barazpeshën.

Goli i Skënderbeut duket se rriti dhe tensionin në fushë ku sekretari i ekipit korçar, Ilirjan Përmeti u nxorr me të kuq. Në fund, Partizani pati dy raste për të shënuar por portieri Rexhepi bëri heroin dhe mbrojti 1-1 rezultatin. Kjo pike e zbret në vendin e dytë Partizanin me 58 pikë, një më pak se Teuta, ndjekin Laçi me 56 dhe Vllaznia me 54.