Juventusi kapitullon, Milan dominon dhe fiton duelin e "Championsit"

   

Një fitore e merituar dhe e dominuar ajo për kuqezinjtë e Piolit që i afrohen objektivit të madh pas fitores 3-0 në të ashtuquajturën finalen e zonës Champions.

Juventus-Milan është një sfidë ku kurrë nuk mund të mungojë spektakli dhe emocionet dhe në 'Allianz Stadium', kështu ndodhi. Ishin bardhezinjtë që e nisën mirë ndeshjen dhe në minutën e 3' ishin pranë golit me De Ligt i cili gjuan por Theo Hernandez bën shpëtimtarin.

Kuqezinjtë rriten me kalimin e minutave ndërsa sërish skuadra e Pirlos është pranë golit me Chiellinin me kokë i cili nxjerr jashtë një gol pothuajse të sigurtë me portën e boshatisur. Pak para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes Milani shokon rivalët me një gol të Brahim Diaz në 45+1' i cili me të djathtën gjen cepin e portës kundërshtare.

Në fraksionin e dytë, bardhezinjtë janë më agresivë dhe reagojnë me dy raste ku përgjigjet Donnarumma por në 57' është Milani që fiton një penallti të akorduar me VAR për prekje të topit me dorë nga Chiellini. Kessie e gjuan por Szczesny e pret dhe mban në lojë Ronaldo me shokë.

Në fakt për Ronaldon ishte një paraqitje totalisht në hije ndërsa Milani edhe pse humbi Ibrahimoviç për shkak dëmtimi gjeti golin e dytë me zëvendësuesin e tij, Rebiç i cili me një gjuajtje të përkryer dyfishoi rezultatin dhe i dha nokautin Juventusit në 78'. Nuk mjaftoi me kaq pasi në 82', Tomori me kokë shënoi edhe të tretin dhe atë final të ndeshjes. Me një fitore të tillë Milani barazon Atalantën në vendin e dytë me 72 pikë ndërsa Juventusi kapitullon dhe rrezikon të mbetet jashtë Championsit.