Brdariç i zhgënjyer. Josa: Kukësi luan për çdo pikë
Trajneri i Kukësit, Mirel Josa u shfaq i kënaqur përpara gazetarëve në reagimin pas ndeshjes në “Elbasan Arena”, ku verilindorët triumfuan 3-1 ndaj Vllaznisë. Ai theksoi edhe njëherë se objektivi i Kukësit është të marrë sa më shumë pikë deri në fund.
“E kam thënë edhe më përpara që luftojmë për pikë, qoftë për 1 apo qoftë për 3. Fundja e fundit, luanim ndaj një skuadre që ka qenë në kryesim të kampionatit gjatë gjithë kohës. Vinim nga një ngarkesë e madhe me ekipet kryesuese, rezultatet nuk ishin ato që ne kërkonim. Megjithatë skuadra tregoi karakter që për mendimin tim duhet ta mbajë. Problemet I kishim të shumta sot për shkak të mungesave që kishim, sepse të themi të drejtën lojtarët iu përgjigjën ndeshjes. Kishim fat gjatë ndeshjes, ku siç mund të bënim ne 3-0, Vllaznia na vuri shumë në vështirësi”
Në krahun tjetër, Thomas Brdariç dukej i zhgënjyer teksa i ngacmuar për Kukësin tha se ishin serioz dhe kërkuan fitoren.
“Kukësi është ekip serioz, ka shumë lojtarë të mirë dhe prisja që këtë sezon të ishte më lart. A luajtën njësoj si ndaj nesh ashtu edhe ndaj të tjerëve? Kukësi luajti shumë seriozisht, kërkuan që të fitojnë”, përfundoi trajneri i Vllaznisë.
Ndërkohë, për Kukësin shënoi ndaj Vllaznisë edhe Gjelbrim Taipi që në fakt ishte goli i tij i parë këtë sezon i cili erdhi falë dashamirësisë së kapitenit Ibraimi.
“Është ndjesi e mirë, arrita të shënoja golin e parë, fatmirësisht duke falenderuar edhe kapitenin Ibraimi i cili gjuan penalltitë. Ishte ai që më tha ta ekzekutoja meqë nuk kisha shënuar këtë sezon. Kemi pasur një ecuri jo shumë të mirë, edhe pse në ndeshje kemi arritur të dominojmë e të luajmë bukur. Por ndonjëherë kur luan bukur nuk kemi marrë atë që kemi dashur. Vllaznia është një nga skuadrat pretendente të kampionatit dhe e dinim se na priste një ndeshje e vështirë, në fund ia dolëm. Me rëndësi ishte 3 pikëshi. Është e vërtetë që nuk kemi asnjë objektiv dhe kjo fitore është e rëndësishme, shpresojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë”.