Në pritje të Championsit, Chelsea fiton sërish ndaj Man. City
Man. City-Chelsea nuk ishte finalja e Championsit por dueli ku Guardiola mund të festonte titullin në rast fitore që në fakt nuk ia doli dhe u mund për të dytën herë nga Tuchel në pak javë. “Blutë e Londrës” triumfuan me përmbysje 2-1 në “Etihad”, një fitore që i mban ata në zonën Champions dhe për momentin në vendin e tretë e gjithashtu shtynë edhe festën e titullit kampion për “Citizens”.
Sfida ishte me dy fytyra ku në të parën Man. City ishte dominues dhe gjeti golin me Sterling në 44’ ndërsa 2 minuta më vonë Aguero mund të mbyllte ndeshjen por humbi një penallti me një ekzekutim qesharak, panenka e dështuar.
E dyta nisi më mirë për Tuchel që insistoi në disa raste, iu anulua një gol me VAR ndërsa gjeti barazimin në 63’ me Ziyech. Goli i karikoi më shumë miqtë që falë insistimit të madh përmbysën edhe rezultatin në 92’ me Marcos Alonso.
Një humbje e tillë duhet të shqetësojë së tepërmi Guardiolën, jo për titullin pasi e ka në xhep por për finalen ndaj Chelsea, ndaj të cilëve ka dy humbje në 3 javë.
