Tirana fiton mes kaosit ndaj Kastriotit. Edhe Laçi merr 3 pikë

Në “Selman Stërmasi”, luhej një nga sfidat më të rëndësishme ku vendosej fati i luftës për titull për Tiranën dhe mbijetesa e Kastriotit. Ndeshja ishte plot tension që nga fillimi dhe shumë e luftuar nga të dyja skuadrat teksa gjithçka ndodhi në pjesën e dytë kur në minutën e 78’ Hoxhallari shënon me kokë për bardheblutë dhe aty shpërthen kaosi. Trajneri Ndreu dhe drejtuesit e ekipit krutan futen në fushë duke kontestuar golin pasi sipas tyre ishte një lojtar i skuadrës I shtrirë dhe arbitri duhej të ndalte lojën dhe fair play nuk u respektua.

Reagimi i trajnerit Ndreu dhe drejtuesve nuk ishte aspak normal dhe u desh ndërhyrja e forcave të rendit për të nxjerrë nga fusha drejtuesit krutanë të nervozuar. Ndërkohë që si Ndreu ashtu edhe drejtuesi Vogli kërkonin që skuadra të dilte nga fusha dhe loja u ndërpre disa minuta. Pas pothuajse 10 minutave Kastrioti vendosi të rikthehej në fushë dhe loja nisi për t’u mbyllur 1-0 por që pamjet që u shfaqën ishin tepër të shëmtuara.

Ndërkohë në Fier, Apolonia u mund nga Laçi 1-0 në “Loni Papuçiu” duke mbajtur gjallë shpresat për titull për kurbinasit dhe fatin e ndeshjes e vendosi Musta në minutën e 48’. Ishte një sfidë plotësisht e dominuar nga skuadra e Shpëtim Duros që mbetet plotësisht në lojë për titullin.