Ilir Daja: Partizani e meriton kryesimin, ta harrojmë derbin

Pak ditë përpara derbit me Tiranën, Partizani ka një pengesë jo të lehtë për të vijuar kryesimin në Superiore ku për javën e 31-të do të përballet me Skënderbeun në Korçë. Trajneri Ilir Daja kërkon impenjim maksimal në këtë transfertë pavarësisht disa mungesave të rëndësishme te të Kuqtë.

“Unë mendoj se nuk ka më ndeshje të lehta, sepse kampionatit po i vjen fundi dhe të gjitha ekipet kanë objektivat e tyre. Të gjithë çiftet që përplasen janë ndeshje të forta, është starti i fundit, kanë mbetur edhe pesë javë. Kemi dy ndeshje të fituara dhe një të humbur me Skënderbeun. Besoj se ne kemi formën më të mirë nga të gjitha ekipet, e kemi treguar këtë në javët e fundit, jo vetëm me rezultate dhe lojëra, por edhe me golat e shënuar. Mala dhe Bardhi, dy mungesa të rëndësishme, problem është fakti që do kemi pak alternativa në stol, për të bërë ndërrime në pozicione natyrale, jo në vlera”.

Nuk mund të mos mungonte një koment për derbin në javën e ardhshme ndaj Tiranës por për trajnerin Daja fokusi mbetet vetëm Skënderbeu dhe asgjë tjetër.

“Unë e di që pas Skënderbeut nuk ka ndeshje tjetër. Kjo do të thotë se nuk do kursehemi dhe nuk do mendojmë për asgjë tjetër. Do fokusohemi vetëm te Skënderbeu. Rezultati është kryesori në këtë fund kampionati. Të marrësh tre pikë në Korçë, do të thotë që duhet të vlerësojmë të gjithë kundërshtarin”.

Në fund nuk mungoi edhe një koment për presionin dhe kreun e renditjes, të cilin Daja dëshiron ta ruajë deri në fund.

“Pesioni nuk është vetëm te ne, edhe ata kanë presion për arsyen e gjendjes në tabelën e klasifikimit, edhe atyre u duhen pikët. Shpërndarja e presionit është e barabartë, por ne kemi potencialin më të madh për ta përballuar këtë presion. Mund të kemi një qetësi më të madhe, sepse kemi një objektiv më të madh. Partizani ka eksperiencë për të menaxhuar këto situata. Na vjen mirë që jemi në krye, e kemi merituar të jemi aty. Duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi te Skënderbeu”, përfundoi Ilir Daja në prag të transfertës në Korçë.