Shehi: Nuk mendoj për derbin, Kastrioti përacakton sezonin

Java e 31-të e Superiores do të angazhojë Tiranën në një duel ndaj Kastriotit që po lufton për mbijtesën e nga ana tjetër, bardheblutë do të kuptojnë nëse do të kenë më tej shanse për titull apo jo. Një gjë të tillë e pranon edhe trajneri Orges Shehi i cili foli në vigjilje të këtij takimi.

“Do të jetë një ndeshje e luftuar nesër. Na ndajnë vetëm 5 javë nga fundi, duhet të jemi të përqendruar, të kujdesshëm dhe të çojmë topin në rrjetë. Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, ku marrim gjithë frytet e sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar sepse ka nisur shumë herët vitin futbollistik. Kastrioti është një skuadër që në javët e fundit nuk ka marrë pikë, por është një skuadër që të hap probleme pasi kanë edhe ata objektivat e tyre”.


Trajneri i bardhebluve nuk mendon aspak për derbin e javës së ardhshme ndaj Partizanit dhe konfirmon se nuk do të ketë asnjë ndryshim për të ruajtur lojtarët kryesorë apo ata që janë në rrezik kartonash.

“Kastrioti nuk është rivali ynë direkt, por kundërshtari i rashës është më i rëndësishëm. Duhet të bëjmë mirë, të shfrytëzojmë rastet sepse futbolli është edhe lojë momenti dhe duhet shfrytëzuar. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë sepse na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes. Nesër nuk do kursejmë asnjë lojtar për derbin. Kemi mungesa për shkak kartonësh. Do luaj me lojtarët që janë në gjendjen më të mire”.

Në fund, Orges Shehi i pyetur për shanset e Tiranës për titullin tha me bindje se bardheblutë mund ta arrijnë nëse i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura.