Martini karikon ekipin: Teuta, pretentende kryesore për titullin

Barazimi me Vllazninë zbriti Teutën nga vendi i parë në renditje ndërsa në javën e 31-të, durrsakët do të përballen me Bylisin në përpjekje për të rikuperuar kryesimin dhe për të fituar titullin në fund. Kështu e mendon trajneri Edi Martini i cili për të karikuar edhe ekipin me doza optimizmi shprehet se Teuta është pretendentja kryesore për të marrë titullin kampion.

“Shanset për titull janë të mëdha, duke parë nivelin e lojës që kemi treguar gjatë ndeshjeve. Unë them se jemi pretendentët kryesorë për titullin. Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, por kjo nuk përbën problem për ne, sepse ne çdo ndeshje e kemi për ta fituar. Është një ndeshje e fortë, Bylis kërkon të marrë diçka nga kjo ndeshje. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, do të futemi në fushë për fitore”.

Për të arritur te titulli, Martini kërkon vetëm fitore me Bylisin që e shikon si një sfidë tepër të vështirë.

“Bylisi luan për të qëndruar në Superiore dhe për këtë arsye nuk është një ndeshje e lehtë. E shikoj si një ndeshej që duhet fituar, por duhet të kemi shumë kujdes. Jemi mirë, gjendja fizike e lojtarëve është e mirë, përveç kapitenit Arapi. Ka një dëmtim në pulpë dhe shpresoj ta kemi gati për ndeshjen tjetër. Disa shprehen se Teuta ka mbrojtje të fortë sepse luan në mbrojtje, por jo. Ne kemi mbrojtje të fortë sepse luajmë lart, nuk lejojmë ekipet të na afrohen te porta”.

Trajneri shkodran iu rikthye edhe sfidës së kaluar me Vllazninë duke shpjeguar se ekipi nuk krijoi shumë raste por në fund sipas tij, barazimi ishte një rezultat i mirë sepse një humbje e mundshme do t’i kishte shkaktuar shumë probleme Teutës.