Erdogan: Turqia gati të prodhojë vaksinën e saj anti-Covid, ka padrejtësi në qasjen te vaksina
Turqia ka në plan të ofrojë vaksinën e saj anti-Covid të prodhuar për të gjithë njerëzimin.
Një gjë të tillë e ka bërë me dije vetë presidenti i vendit, Rexhep Tayip Erdogan ditën e martë, bën me dije agjencia e lajme "Anadolu Agency".
"Çështja e vaksinës ka marrë një kthesë të tmerrshme, gati 100 vende nuk kanë ende akses në vaksinën COVID-19," - tha Erdogan në mesazhin e tij me video.
Fjalën e tij Erdogan e mbajti duke u adresuar në takimin e Financimit për Zhvillim në epokën e COVID-19 mbajtur Kombet e Bashkuara me pjesëmarrjen e krerëve të shumë shteteve.
"Ka një padrejtësi në qasjen te vaksina, gjë që u bë më e dukshme gjatë pandemisë. Çështja e vaksinimit ka marrë një kthesë shumë të tmerrshme. Ndërsa ka vende që kanë vaksinuar pothuajse të gjithë qytetarët e tyre, miliarda njerëz nuk janë në gjendje të përdorin as dozën e parë të vaksinës" - shtoi Erdogan.
Sipas presidentit turk është e qartë se pandemia nuk do të marrë fund dhe rimëkëmbja ekonomike nuk do të ndodhë pa siguruar qasje të drejtë në vaksinë.


