Emetime rekord në Kinë

Një studim i kryer nga Grupi Rhodium, një institut me bazë në SHBA, ka dalë në përfundimin se Kina emeton më shumë gazra serrë sesa të gjitha kombet e zhvilluara së bashku, me 27 për qind. Pas saj, në vend të dytë vijnë Shtetet e Bashkuara me 11 për qind, ndërsa India renditet e treta me 6.6 për qind.

Për shkak se gjigandi aziatik ka popullsinë më të madhe në botë, sipas studimit, këto emetime janë trefishuar në dy dekada. Edhe pse Kina është zotuar për të arritur në emetime zero të gazrave serrë deri më 2060, kjo duket e vështirë. Ky shtet aktualisht ka 1,058 termocentrale me qymyr, më shumë se gjysma e kapacitetit botëror.

Edhe i dërguari i SHBA-së për Klimën John Kerry, udhëtoi në Kinë muajin e kaluar për të takuar homologun e tij dhe për të diskutuar se si mund të punojnë bashkë për të luftuar ndryshimet klimatike. Liderët botërorë do të bëhen sërish bashkë në një tjetër samit për klimën, që do të mbahet në muajin nëntor në Glasgou të Mbretërisë së Bashkuar, për të diskutuar mënyra specifike për luftim të emetimeve.

Sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, të arritur më 2015, 197 shtete janë pajtuar për kufizim të temperaturës së Tokës nën 2 gradë Celsius. Krahas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, ekzistojnë edhe të ashtuquajturat Kontributet e Përcaktuara Kombëtare.