OBSH miraton për përdorim urgjent vaksinën kineze Sinopharm
Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi ditën e sotme (7 maj) vaksinën Kineze Sinopharm Covid-19 për përdorim urgjent.
Qëllimi është lehtësimi i rrugës për vendet e varfra që të marrin qasje në një tjetër vaksinë shumë të nevojshme për të ndihmuar në përfundimin e pandemisë.
Miratimi i lejon vaksinës Sinopharm të përfshihet në Covax, iniciativa globale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që është projektuar për të nxitur barazi në shpërndarjen e vaksinës në mbarë botën.
Deri më tani, OBSH kishte aprovuar vetëm vaksinat e bëra nga Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Moderna.
Sidoqoftë, rregullatorët individualë të shëndetit në vende të ndryshme - veçanërisht ato më të varfra në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi - kanë miratuar tashmë vaksinën kineze për përdorim emergjent.
Një vendim pritet brenda disa ditësh për vaksinën e Sinovac, e cila përdoret edhe në Shqipëri.
Ndërsa vaksina Sputnik e Rusisë është ende nën vlerësim.
