Bilanci global nga Covid, janë raportuar 3,25 mln viktima por dyshohet të jenë 6,9 mln

Mbi 3 milionë e 250 mijë njerëz në gjithë botën nuk i kanë mbijetuar dot infeksionit prej Covidit-19, por mosmarrja parasysh e vdekjeve jashtë sistemit shëndetësor dhe testimi jo i duhur i rasteve hedh dyshime se bilanci mund të jetë të paktën dy herë më i lartë.

Pandemia e Covidit-19 mund të ketë shkaktuar jo 3 milionë e 250 mijë por rreth 6,9 milionë vdekje nëpër botë, dyfishin e numrit që raportohet zyrtarisht.

Sipas Institutit amerikan për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, shumica e shteteve regjistrojnë vetëm vdekjet në spitale ose të pacientëve që janë konfirmuar se bartin koronavirusin.

Vdekshmëria prej Covidit lidhet ngushtë me nivelin e testimit kundër sëmundjes.

"Nëse nuk teston shumë atëherë mundësitë janë që nuk i gjen si duhet vdekjet prej kovidit," theksoi drejtuesi i institutit, Kristofer Mwrei.

Në SHBA analizat tregojnë po ashtu se vdekjet nga koronavirusi i ri mund të jenë mbi 900 mijë, nga 580 mijë që raportojnë autoritetet.

Ndërkohë India regjistroi ditën e enjte 412 mijë infektime të reja dhe një rekord prej gati 4 mijë viktimash e çoi mbi 230 mijë bilancin total.

Varianti indian i koronavirusit që është më  i transmetueshëm dhe më vdekjeprurës edhe për të rinjtë, ka nisur të përhapet botërisht.

Ai është izoluar edhe në Britaninë e Madhe që tetorin e kaluar por tani po përbën shqetësim pasi po transmetohet vrullshëm dhe nuk dihet nëse është rezistent ndaj vaksinave aktuale.