"Lamtumirë karantinë mirësevjen liri" Gjermania miraton lehtësirat për të vaksinuarit e të shëruarit nga Covid-19
Pas Bundestagut dhe Këshilli Federal Gjerman miratoi kërkesën e qeverisë për lehtësimin e masave për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga koronavirus, që do të thotë se për këta persona hiqet e ashtuquajtura frenimi emergjent.
Dhoma e landeve dha dritën jeshile për rregulloren federale, e cila mund të hyjë në fuqi gjatë fundjavës. Argumenti i qeverisë është se, sipas Institutit Robert Koch (RKI), këto grupe njerëzish nuk paraqesin më rrezik për infektimet dhe përhapjen e virusit.
Në shumë vende, si për shembull në pazar, dyqane ose parukeri, personat e vaksinuar dhe të shëruar nga koronavirus do të kenë të drejtat e njëjta si ata që kanë bërë një test me rezultat negativ. Këta persona nuk duhet të futen në karantinë pas udhëtimeve, përveç nëse vijnë nga një zone me një virus mutant .
Detyrimi për të mbajtur maskë në vende të caktuara dhe kërkesa për distancë në hapësirat publike duhet të vazhdojnë të zbatohen.
"Suksesi i vaksinimeve nuk do të thotë që ne mund të jemi të pakujdesshëm," theksoi të martën Ministrja Federale e Drejtësisë, Christine Lambrecht.
Liderët e BE-së takohen ballë për ballë në Porto
7 Maj, 15:53
Pandemia ende vazhdon të jetë një rrezik individual i infektimit edhe për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga Covid-19.
Në lidhje me liritë e planifikuara për njerëzit e vaksinuar dhe të shëruar, Shoqata Gjermane e Qyteteve ka kërkuar që më shumë lehtësime të ketë edhe për personat e testuar me një rezultat negativ ndaj virusit.
Shumë njerëz nuk kanë mundur të vaksinohen për shkak të mungesës së vaksinës, tha shefi ekzekutiv i Shoqatës, Helmut Dedy. "Prandaj ne kërkojmë që edhe personat e testuar negativisht të kenë liri dhe të drejta të njëjta."
Është shumë mirë që të vaksinuarit dhe të shëruarit mund të gëzojnë një pjesë të lirive të mëparshme dhe t'i kthehen pak a shumë jetës normale, tha Dedy. "Por shoqëria nuk duhet të ndahet në të vaksinuarit dhe shëruarit në njërën anë ndërsa të gjithë të tjerët në anën tjetër", paralajmëroi ai. Prandaj do të ishte e mençur që atyre që testohen negativisht në baza ditore t'u mundësohen më shumë kontakte sociale dhe takime me familjarë.
Në Republikën Federale të Gjermanisë deri tani janë vaksinuar njëherë 30,6 % e popullatës. Ndërsa 8,6 përqind janë vaksinuar dy herë, që do të thotë se kanë një mbrojtje të plotë. Të mërkurën në Gjermani janë bërë 1,1 milion vaksina. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se prej fillimit të fushatës së vaksinimit në Gjermani, kjo ishte dita e dytë për nga numri i vaksinimeve.
Numri i infektimeve të reja në Gjermani vazhdon të ulet në krahasim me një javë më parë. RKI njofton se në 24 orët e fundit janë regjistruar 18.485 infektime të reja, që është 5.800 raste më pak se një javë më parë. RKI raportoi edhe për 284 vdekje në 24 orët e fundit nga koronavirus apo sëmundjet që kanë lidhje me këtë virus. Numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit në 84.410. Prej fillimit të pandemisë në Gjermani janë infektuar më shumë se 3.4 milion njerëz.


