"Janë bërë minjtë sa macet", banorët në njësinë nr.11 të Tiranës: Të hiqen mbetjet urbane dhe inertet
I ngjan një landfilli, por kjo është një zonë banimi në njësinë numër 11 në kryeqytet.
Mes mbetjeve urbane dhe inerteve janë të detyruar të jetojnë.
"Këtu është burim infeksioni pa pasur pandemi fare, aq më keq gjithë kjo periudhë pandemi që është hapur në gjithë botën. Këtu është kaq e ngarkuar saqë ne nuk kemi guxim të dalim nga shtëpia fare," thotë banori.
"A mund të ulesh aty në stol afër mbeturinave," thotë një banor tjetër.
Nga e gjithë papastërtia, banorët shprehin shqetësim se lagjja është pushtuar nga minjtë.
"Këtu mund të ketë vetëm minj 1 milion, domethënë kur vij i hedh mbeturinat në kosh sikur ushtria front," thotë banori.
"Janë bërë minjtë sa macet, lëvizin sa andej-këtej," thotë banori.
Një tjetër problem është vend0parkimi. Lagjja ngarkohet nga urbanët apo automjete, të cilat e përdorin këtë hapësirë si terminal.
I kane dërguar një kërkesë Bashkisë që të vendoset një tabelë, në mënyrë që të lejohet parkimi vetëm për rezidentët, por problemi ende nuk ka marrë zgjidhje.
"Ankohen banorët se nuk kanë ku të parkojnë makinën, ç'punë ka ai nga treshi të vijë të parkojë makinën këtu," thotë banori.
"Na kanë shtuar edhe furgonat e linjës së gjithë Shqipërisë këtu, vijnë parkohen këtu, vijnë pasagjerët me telefon. Makinat tona që i kemi private nuk kemi ku i parkojmë fare, vijnë furgonat, ka më shumë furgona këtu se sa ka terminali," thotë banori.
Marrja e masave për problematikat e tyre është domosdoshmëri, pasi në këto kushte jetesa u është vështirësuar.