Kuvendi i rrëzon dekretet, këshilltari i Metës: 10 ligje u shqyrtuan në 1 ditë, qeveria po rrëmben drejtësinë
Pas rrëzimit nga ana e Kuvendit të dekreteve të presidentit Ilir Meta lidhur me 10 ligje të Reformës në Drejtësi, ka reaguar këshilltari për Çështjet Ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj.
Këshilltari i Metës u shpreh se Kuvendi nuk e argumentoi vendimin e tij për rrëzimin e dekreteve në baza ligjore dhe e ka cilësuar si një retorikë politike dhe gjuhë përbaltëse.
Dervishaj tha se 10 ligje Kuvendi arriti t'i shqyrtojë brenda një ditë, ritëm që do e kishte zili çdo vend evropian për deputetët e tij
“Sot fatkeqësisht dëshmuam si seanca e plenare e Kuvendit rrëzoi 10 dekrete të Presidentit që rikthyen 10 ligje që prekin themelin e reformës në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që prisnim të dëgjonim në diskutime përpjekje për të argumentuar ligjërisht, dëgjuam retorikë politike fjalë boshe pa asnjë vlerë për shoqërinë, gjuhë përbaltëse e aspak të denjë për një shtet të së drejtës. 10 ligje Kuvendi arrin ti shqyrtojë brenda një ditë, këtë ritëm do e kishte zili çdo vend evropian për deputetët e tij.
Kuvendi në një ditë, më 23 mars të këtij viti miratoi 10 ligje të hartuara nga qeveria që ndryshojnë rrënjësisht reformën e që u kthen në muajin prill me dekrete nga Presidenti, ndërkohë që u ndryshuan brenda një dite, janë hartuar miratuar e konsultuar pas një analize 2-vjeçare të gjithë sistemit të drejtësisë në vitet 2015-2017. Reforma në drejtësisë në këto vite iu besua një grupi ekspertësh të nivelit të lartë e iu hoq qeverisë e drejta për të ndërhyrë. Roli i Kuvendit në këto vite ishte rol certifikues i produktit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj e vendas pa pasur të drejtën qeveria për të ndërhyrë në thelbin e tyre."
Dervishaj shtoi se në lidhje me këtë çështje ngrihen pyetjet:
Pse Qeveria rrëmbeu Reformën në Drejtësi?
Pse nuk u konsultuan këto ndryshime me Komisionin e Venecias për të siguruar një Opinion?
Pse u hodh poshtë puna e ekspertëve të pavarur të Nivelit të Lartë, ashtu siç u ndërtua dhe miratua kjo Reformë?
Sipas Dervishajt ky është një veprim që Qeveria të rrëmbejë drejtësinë, si dhe të mbulojë gjithë paligjshmërinë në implementimin e saj, duke shkelur çdo parim dhe duke e kthyer atë në Drejtësi të Qeverisë dhe jo Drejtësi për qytetarët.


