"Gjirokastra" është vetëm fillimi, LSI bën gati dosje të tjera. Kryemadhi: E vërteta e 25 Prillit brenda kutive

Lëvizja Socialiste për Integrim ka çuar në KQZ ankimimin e parë për zgjedhjet e 25 prillit.

LSI kërkon të shpallet i pavleshëm rezultati i qarkut Gjirokastër, ku nuk arriti të merrte asnjë mandat deputeti. Dhe ky ankimim duket se nuk do të jetë i vetmi.

Përmes një postimi në face book Monika Kryemadhi shprehet se LSI po përgatit dosje të reja.

“Grupi i juristëve i angazhuar pranë LSI për çështjet zgjedhore, dorëzoi sot ankimimet e para për proçesin e 25 Prillit. Kështu do të vazhdojnë me radhë, në respekt të afatit ankimor, për të gjitha problematikat e evidentuara” shkruan Kryemadhi.

Kryemadhi ka përforcuar qëndrimin e saj për mospranim të rezultatit zgjedhor për parlamentin e ri, duke theksuar se e vërteta e 25 prillit ndodhet brenda në kuti.

“Me vigjilencë dhe qetësi, t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së të vërtetës. E vërteta e 25 Prillit është brenda tek kutitë.”

LSI ankimoi sot pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve rezultatin për Bashkinë Dropull pasi sipas kësaj force politike në këtë bashki janë manipuluar votat.