"Ta ndëshkojmë!" Hysenit nuk i dalin llogaritë: Meta nuk është jashtë shtetit, pse nuk erdhi te "Ligjet"?

Socialistët nuk humbin kohë por do të paraqesin nesër në seancë parlamentare kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës si President, për të përmbushur detyrimet kushtetuese për ngritjen e tij para datës 9 maj.

Kreu i Shtetit nuk u paraqit për dëgjesë sot në Komisionin e Ligjeve, pasi ka kërkuar që njëgjë të tillë ta bëjë me 10 maj.

Por për deputetin, Alket Hyseni, kjo është e qëllimshme nga Meta, me qëllim tejkalimin e afateve për ngritjen e komisionit hetimor.

"Nëse ne do të arrijmë ta ngrejmë këtë komision para datës 9 maj do të jetë në përputhje me Kushtetutën.  Veprimtaria e këtij komisioni do të shtrihet deri më 9 korrik. Kërkesa e presidentit për tu dëgjuar në datën 10 është kërkesë tipike opozitare për tu shmangur me procedurë  sovranit. Nëse do të bëhet në datën 10 do të ishte jashtë afatit. Prandaj nuk ka ardhur se i kishte të gjitha mundësitë".

Hyseni tha më tej se "do të ishte e mirëkuptueshme nëse presidenti mund të ketë qenë në vizitë jashtë vendit dhe koha mund të ishte e pamundur, por në këtë rast është moralisht i padrejtë dhe të jetë i dënueshëm".

Presidenti Meta në përgjigje të Komisionit të Ligjeve deklaronte se nuk mund të jetë në seancën e sotme për shkak të agjendës.

Ditën e sotme, ai i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, i cili po zhvillon një vizitë pune në vendin tonë, në kuadër të përgatitjes të takimit të përvjetorit të 10 të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet më 17 maj në Slloveni.

Po sot Meta priti në zyrë Ministren Federale për Çështjet e BE dhe Kushtetutën të Republikës së Austrisë, Karoline Edtstadler.

"Vlerësova miqësinë e hershme mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e pakursyer të Austrisë, si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe ndaj procesit të integrimit europian. Theksova se sfida jonë më e madhe në këtë proces është zbatimi i Kritereve të Kopenhagës, kyç jo vetëm për përparimin e Shqipërisë me negociatat e anëtarësimit, por veçanërisht për të motivuar të rinjtë, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre europiane në vendin tonë".