Burri qëllon me armë gruan para Gjykatës së Elbasanit
Një ngjarje e rëndë tronditi Elbasanin mesditën e sotme.
Ish efektivi i policisë vrau me armë kallashnikov bashkëshorten e tij, ndërsa plumbat plagosën avokatin dhe një kalimtar të rastit.
Ngjarje e rëndë ndodhi në lagjen “5 Maji” të Elbasanit, pikërisht në një rrugicë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit.
Koço Buzo, 58 vjeç vrau bashkëshorten Liljana Buzo, 54 vjeç ndërsa plagosi Gëzim Toçila dhe një kalimtar të identifikuar si Adriatik Kolaj.
"Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital" informoi sot policia e Elbasanit.
Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë avokati i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë, informoi më tej policia.
Gjyqi
Koço Buzo ishte marrë i pandehur për akuzën e “Dhunës në familje”. Çeshtja gjyqësore ditën e sotme ishte për diskutim në seancë paraprake, ku gjyqtarja e çështjes Miranda Çekrezi, ka thirur palët për tu ballafaquar në gjyq.
Për shkak të mos paraqitjes së të pandehurit Koço Buzo, i cili në gjykimin e sotëm përfaqësohej nga avokati Fatmir Lushi,gjyqtarja Çekrezi ka shtyrë seancën gjyqësore për tu zhvilluar në datën 14 maj 2021. Pas mbarimit gruaja së bashku me avokatin e shoqëruar dhe nga djali është larguar.
Pikërisht në rrugicë, burri ka vrapuar nga pas e ka qëlluar me automatik disa herë. I pranishëm ka qenë dhe i biri.
Vrasja tronditi Elbasanin
Skena e krimit ka pasur shumë dëshmitarë për vetë faktin se ndodhi në një zonë të populluar dhe në mes të ditës.

