Për sport apo për votë/ Do hetohen të gjitha rastet e shënjimit të gishtit më shumë se një herë

Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga data e zgjedhjeve ende nuk kemi rezultate nësë me 25 prill ka patur votime të shumëfishtë apo jo.

Të vetmet raste, janë evidentuar nga vetë operatorët që administronin pajisjet që bënë të mundur identifikimin elektronik në zgjedhjen parlamentare.

Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi, paralajmëroi të gjithë ata persona që kanë publikuar në rrjetet sociale video ku tregojnë se kanë nëshkruar dy herë elektronikisht do të përballen me drejtësinë.

Ilirjan Celibashi: Pas kopjimit të të dhënave në serverin qëndror do të bëhet kryqëzimi i të dhënave të gjithë pajisjeve të shpërndara në territorin e Shqipërisë dhe përmes këtij procesi do të shikojmë nëse do të ketë raste të votimit të një zgjedhësi në disa raste, brenda të njëjtës qendër votimi apo në qendra votimi të ndryshme.

Qëllimi i përdorimit të pajisjes ka qenë të regjistronte gjurmët e gishtit të gjithë atyre që shkonin për të votuar. Ata që për arsye të ndryshme që e kanë provuar për sport apo për arsye të tjera të paligjshme e kanë vendosur gishtin disa herë në pajisje do të evidentohen dhe do të duhet të japin llogari para organeve kompetente. Pajisja ka funksionuar shumë mirë.

Në magazinat e KQZ-së në Lundër po hidhen të dhënat elektronike nga 5199 pajisjet PEI në serverin qendror të KQZ. Por nënkomisionerja, Lealba Pelinku, kërkon që procesi të marrë kohën e duhur.

Në bazë të rasteve që do të identifikohen nga kryqëzimi i të dhënavë do të merret vendim nësë ato vota do të jenë të pavlefshme apo jo.

Sa kohë do të marrë?

Lealba Pelinku: Do të kërkojë kohën e duhur që do vetë serveri për të procesuar, një shenjë gishti përplaset me 1.6 milionë shenja gishtash për të verifuikuar nëse ka dublikim apo. Është për herë të parë proces edhe për KQZ dhe nuk mund të themi me saktësi sa kohë do të marrë kjo procedurë.

Ilirjan Celibashi: Gjithë ky informacion pasi të kryqëzohen të dhënat do të përdoret për hetime dhe sanksione të mëtejshme, është e parashikuar nga Kodi Zgjedhor.

Por a ka ndikim në rezultatin zgjedhor?

Ilirjan Celibashi: Jemi duke bërë verifikimet dhe do të bëjmë kryqëzimet e të dhënave dhe aty do të shikojmë  sa është numri i personave dhe në cilat rrethana këta persona e kanë vendosur gishtin më shumë se një herë. Deri më sot dimë që në disa raste sporadike operatorët e kanë vendosur gishtin disa herë.Ka shkuar një votues, pajisja nuk e ka lexuar mirë gishtin, kjo pengonte procesin e votimit. Por kanë gabuar. Dimë vetëm rastin e operatorëve të raportuar prej tyre ditën e votimit.

Pavarësisht se partitë politike publikisht kanë denoncuar raste të manipulimit zgjedhor në 25 prill, në Komision Qendror të Zgjedhjeve mësohet se nuk ka asnjë kërkesë për ankimim nga ana e tyre.