Arrestuan 55 emigrantët por lanë të ikte skafisti, arrestohen 5 rojet bregdetare

Pesë roje bregdetare të Forcës Detare janë arrestuar për dekonspirimin e një operacioni për goditjen e trafikimit të klandestinëve me gomone. Ata akuzohen se gjatë muajit janar kanë lënë të lirë më dashje skafistin Emiljano Likaj,  I cili tentoi të trafikojë 55 emigrantë drejt Italisë.

5 efektivë të Rojes Bregdetare janë arrestuar pasi ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po trafikonte klandestinë sirinë drejt Italisë në janar të këtij viti.

Personat e ndaluar janë shtetasit Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, Sejfulla Beja, Besmir Mece, të gjithë banues në Vlorë.

Rojet bregdetare ishin të përfshirë në aksionin e kërkim shpëtimit të datës 8 Janar në grykëderdhjen e Vjosës, pasi gomonia me emigrant pësoi defekt në det.

Por gjatë evakuimit të klandestinëve, ata kanë lënë të lirë të largohen skafistët.

Ishin dëshmitë e 47 sirianëve, 7 iranianëve dhe 1 egjiptiani që kanë hedhur dritë mbi ngjarjen në det të hapur dhe mbrojtjen që rojet bregdetare u bënë trafikantëve.

Sipas dëshmisë ata hipën në anijen 'Bora' bashkë me ta, por 100 metra larg kalatës së portit të veshur me jelek u hodhën në det.

12 ditë më pas, policia vuri në pranga Emiljano Likajn, një 26 vjeçar që bashkë me të paktën dy persona të tjerë mori përsipër tentativën e trafikut me gomone që rrezikoi të prodhojë tragjedi.

Nga ana tjetër burime thonë se efektivëve të rojes bregdetare u ishin premtuar shuma të konsiderueshme parash për të lënë të lirë trafikantët.

Policisë e prokurorisë së Vlorës iu deshën 5 muaj hetime për të zbadhur plotësisht tentativën e trafikut dhe ka bindur Gjykatën duke marrë një masë sigurie për rojet bregdetare.

Të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti, dhe të akuzuar për strehimin e emigrantëve janë tashmë në qeli 31-vjeçari nga Vlora Qazim Ismailaj dhe Fatos Tusha nga Tirana.

Për të arritur në brigjet e vendit fqinj, klandestinët, sipas burimeve, paguanin nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa në ndihmë të kësaj veprimtarie ishte krijuar edhe një infrastrukturë e plotë.